Thursday, August 3, 2017

TE HUAJT PER SHQIPTARET

TE HUAJT PER SHQIPTARET

'' Shqiptarët janë një racë ariane, të njohur së pari si pellazgë, por të quajtur ilirë nga romakët. Aleksandri i Madh, pushtoi Azinë me 25.000 ushtarë shqiptarë. Vendi i tyre shtrihet përgjatë bregut të Detit Adriatik, me Malin e Zi në veri, Greqinë në jug dhe Maqedoninë në lindje. Është një vend shumë malor, i ndarë përmes nga lumi Shkumbin, i cili derdhet në Adriatik. Banorët në veri të këtij lumi njihen si Gegët edhe pse këta e quajnë veten Shkipëtar (malësorë), dhe ata në jug të lumit njihen si toskë. Që nga kohët më të hershme ata janë ndarë në fise, secili besnik ndaj kryetari të tij. Ata nuk durojnë dëmtimet e bërë ndaj ndonjë anëtari të fisit dhe gjakmarrja (hakmarrja) është diçka e zakonshme. Ata, ashtu si malësorët e Skocisë, veshin fustanellë dhe xhaketë të qëndisur. Janë një racë e bukur, e pavarur e trime dhe burrat lëvizin gjithmonë të armatosur. Duan jashtë mase malet e tyre dhe janë patriotë të mëdhenj. Gratë e tyre kryejnë shumë punë jashtë shtëpie, por janë të trajtuara me respekt. Edhe pse me disa lloje dialektesh, gjuha e tyre është një dhe zakonet e tyre janë një.

Për 2000 vjet ata kanë qenë nën sundimin grek, romak, sllav dhe turk. Që pas thyerjes dhe vdekjes së heroit të tyre të madh, Skënder Beu, në 1467, vendi i tyre u pushtua nga ushtritë turke, por Turqit kurrë nuk i nënshtruan vërtetë ata dhe shpesh, fiset refuzonin që të paguanin taksat. Në shekullin e pesëmbëdhjetë, pas pushtimit turk të vendit të tyre, shumë kryetarë fisesh shqiptare e shpallën veten myslimanë, në mënyrë që të mbanin tokat dhe për të pasur miratim për pushtetin e tyre, dhe shumë anëtarë fisesh – ndonjëherë tërë fisi – ndiqnin shembullin e kryetarëve të tyre. Megjithatë, shqiptarët, kurrë nuk u bënë myslimanë të mirë. Ata nuk kanë qenë të përpiktë në thënien e lutjeve të tyre apo në respektimin e agjërimeve dhe festave dhe nuk kanë ndjekur zakonet poligame të turqve. Shqiptarët supozohet të jenë rreth një milion e gjysmë, prej të cilëve dy të tretat janë myslimanë dhe nga ajo që mbetet 300.000 i përkasin kishës katolike greke dhe 250,000 kishës katolike romake. Rreth 35.000 shqiptarë kanë emigruar në Amerikë.

Turqit u kanë dhënë poste të larta civile e ushtarake shumë shqiptarëve dhe tirani Sulltan Hamidi, rekrutoi 5.000 shqiptarë si truproja të tij. Turqit gjithsesi, për shekuj me radhë, nuk kanë bërë asgjë për të hapur Shqipërinë duke i bërë rrugë, asgjë për të nxitur bujqësinë apo për të promovuar edukimin. Nuk është çudi pra, që shqiptarët janë tmerrësisht të varfër dhe se rreth 90 për qind e popullsisë është analfabete. Pas Luftës Ballkanike (1912-1913) pothuajse gjysma e Shqipërisë ishte e pushtuar nga grekët, serbët e malazezët dhe po të mos ishte për ndërhyrjen e Fuqive Europiane, të gjitha tokat e tyre do të ishin konfiskuar nga shtetet armiqësore përreth. Si popull i pavarur arian, as sllave, as Grek, Fuqitë e Mëdha vendosën që t’i njohin shqiptarët si shtet i pavarur.''

Titulli: Leavening the Levant (1916)
Autori: Greene, Joseph K.,
Botues: Boston, The Pilgrim Press, 1916

No comments:

Post a Comment