Thursday, August 10, 2017

Udha e zhvillimit të alfabetit nga ilirët deri më sot

Udha e zhvillimit të alfabetit nga ilirët deri më sot
Nga Arlinda Canaj - 10 Gusht, 2017, 1:03
   

Mendimet dhe studimet mbi alfabetin e shqipes janë përqëndruar kryesisht në shekullin 19-të dhe kryesisht në pjesën e dytë të tij, kur filloi me të vërtet një domosdoshmëri për krijimin e një alfabeti të vetëm të gjuhës shqipe, për shkak se kishte alfabete të ndryshme. Kjo ishte një përpjekje me rëndësi të madhe. Në gjysmën e dytë të shekullit 19-të sidomos me zhvillimin e Rilindjes u bë e qartë që po synohej të shkohej drejt Pavarësisë. Dhe pavarësia do të thoshte shtet shqiptar. Dhe shteti shqiptar nuk mund të ndërtohej pa pasur një gjuhë të vetën të shkruar, atë që quajmë gjuhën standarte. Shteti është shkresë. Nuk ka shtet pa shkrim. Kjo shtysë e fuqishme bëri që gjithë mendimin e përparuar të rilindasve të përqëndrohej tek krijimi i alfabetit për të gjithë shqiptarët.  Kjo çoi në Kongresin e Manastirit më 1908-ën.

Por deri në këtë datë të rëndësishme kemi një rrugëtim me të vërtetë interesant. Nëse sot në botë njihen rreth 5000 gjuhë nuk mund të themi se ka po aq alfabete.  Numri i alfabeteve në gjuhën e shkruar sipas profesor Xhevat Lloshit është shumë i vogël. Dihen që kanë pasur alfabetë egjiptianët, popujt semitikë, babilonasit, kinezët. Për shqiptarët çështje me rëndësi është se kush janë alfabetet në pellgun e Mesdheut sepse ne shqiptarët nga lashtësia jemi pjesë e kulturës mesdhetare.

Kur ka filluar të shkruhet në këtë truall?

Burimi sipas profesorit Lloshi është tek  popujt që ne i quajmë fenikasit dhe zinin gjithë pjesën perëndimore të Mesdheut. Në kontakt me fenikasit e vjetër kanë qenë dhe grekët edhe latinët. Nga studimet e kohëve të sotme mund të thuhet se alfabeti latin nuk është një përpunim i alfabetit grek, por është një përpunim i alfabetit fenikas. Pra rreth shekullit 9 para erës së re kemi të dëshmuar që grekët e kishin marrë alfabetin fenikas dhe e kishin përpunuar për t’a përshtatur për nevojat e tyre. Afërsisht më vonë e morën dhe latinët dhe etruskët dhe e kanë përshtatur për nevojat e tyre.

Trojet shqiptare në periudhën e shekullit 8-9 para erës së re ishin nën drejtimin e udhëheqësve të fiseve ilire që nga Arta deri në Austri. Në periudhën ilire (para erës së re) kontaktet ishin shumë të afërta me Greqinë e lashtë. Ne dimë që në shekullin 7 para erës sonë grekët nga Korfuzi erdhën dhe formuan një koloni në Durrës sepse aty kishte fise ilire që jetonin dhe prodhonin dhe grekët mund të bënin tregëti dhe të jetonin. Dhe atëherë këta grekë sollën me vete dhe alfabetin e tyre. Dhe të paktën në shekullin 5 para erës së re ne kemi të dëshmuar që në zonat ilire filloi të përdorej alfabeti grek. Pra 2500 vjet më parë në këtë truall shkruhej. Dhe kanë mbetur mbishkrimet e varreve.

Në shekullin e 3 para erës së re në këto varre ka tashmë  emra ilirësh të shkruar.

Rreth shekullit 2 para erës së re romakët do i pushtonin këto brigje dhe pushtuan dhe Greqinë. Ndaj në trojet shqiptare do të vinte dhe një alfabet tjetër, pra ai latin. Nga ky shekull deri në shekullin 5 të erës së re ka patur një ndikim fare të qartë të dy kulturave përkatësisht dhe të dy alfabeteve. Është e sigurtë që mbishkrimet me alfabetin latin janë më të pakta se mbishkrimet me alfabetin grek. Sepse afërsia me grekët ishte më e madhe.

Pas shekullit 5 të erës së re perandoria romake tashmë ka pasur goditje të mëdha nga dyndjet e barbarëve dhe ndërkaq është ngritur perandoria e Bizantit (Roma e dytë) ndaj pas shekullit 6-të do kemi mbishkrime bizantine me alfabetin grek.

Dhe vijmë në periudhën e Mesjetës kur do kemi përdorimin e alfabetit të greqishtes të stilizuar kryesisht për nevojat e kishës ortodokse. Në këtë periudhë  në Europë ndodhën ndryshime të thella. U lindën popujt e kohërave të reja. Pra siç u ngjizën shqiptarët, u ngjizën italianët, francezët, spanjollët dhe rumunët. Ne jemi pjesë përbërëse e gjithë zonës së Mesdheut.

Kur në shekullin 10-të dalim si një popull i dokumentuar historikisht, dokumentet e para do ishin bizantine. Dhe do shkruhej në këtë truall me alfabetin e greqishtes. Pikërisht një shekull më pas , dy kishat  do të ndaheshin dhe Shqipëria do të ishte nën sferën e kishës ortodokse bizantine por deri në lumin Mat do kemi depërtimin e fesë së krishterë katolike. Pra thënë më qartë do të përdorej alfabeti latin.

Në shekullin e Skëndërbeut mund të themi se kemi një histori shqiptare. Duhet të shënojmë diçka shumë të vyer qw duhet të përmendet patjetër. Deri në periudha shumë të vona shkrimi ishte një privilegj i atyre që ishin pranë pushtetit. Dhe njerëzit që ishin më pranë pushtetit kanë qenë klerikët. Ne fjalën e parë të shkruar e kemi nga Pal Ëngjëlli që ka qenë njeriu më i afërt i Skënderbeut. Pra shkrimi lind me nevojat e shtetit. Pra deri në kohët moderne shkrimi dhe librat ishin diçka magjike, hyjnore dhe e fshehtë. Ndaj kur princërit shqiptarë morën në dorë pushtetin mbi  bashkëatdhetarët shqiptarë, lindi nevoja për shkrim.

Dokumentet e vjetra të kësaj kohe tregojnë se gjatë kësaj kohe kemi përdorimin e dy alfabeteve pra greqisht dhe latinisht. Por mbizotëruese janë dokumentet e vjetra të shkruara në latinisht.

Pas vdekjes së Skënderbeut dhe gjatë sundimit Osman sigurisht që do të shkruhej me shkronjat që janë me prejardhje arabe të përshtatura me gjuhën osmane. Në gjuhën shqipe fillon të përdoret dhe një alfabet i tretë, pra alfabeti i osmanishtes. Emrat e shqiptarëve gjatë kësaj kohe në defterët e vjetër osmanë do të shkruheshin pikërisht në këtë gjuhë.  Më pas ndodhi një fenomen i rëndësishëm që sundimi Osman filloi të depërtonte në të gjithë jetën tonë. Depërtoi në kulturë, arkitekturë, veshje. U mbush Shqipëria me xhami dhe teqe.

Depërtimi kulturor në shekullin 17 dhe 18-të u forcua shumë dhe lindi një rrymë, letërsia orientaliste në Shqipëri. Kur sundimi Osman në fund të shekullit 17 dhe fillim të shekullit 18 filloi të dobësohej të gjithë këta orientalistë u larguan nga Shqipëria. Turqia filloi të dobësohej dhe Shqipëria nuk ishte më parajsa osmane. Atëherë këta shqipëtarë që kishin studiuar brenda kulturës osmane, të cilët ishin mësuar me osmanishten arabishten dhe persishten, filluan të heqin dorë dalëngadalë nga të shkruarit në gjuhën osmane.

Në fund të shekullit 18 dhe në fillim të shekullit 19-të filluan dalëngadalë të shkruanin shqip dhe arritën deri aty sa të bënin dalëngadalë vjersha të mirëfillta me subjekte nga jeta e Shqipërisë. Por të gjitha me alfabetin Osman. Kështu kur vimë në shekullin 19-të kishim tre alfabete themelore të ngulitura dhe me shkrim. Mirëpo zgjimi kombëtar do sillte dhe ndërgjegjësim. Nuk mund të vazhdohej në këtë mënyrë. Shqiptarët duhet të gjenin patjetër një zgjidhje.  Sepse alfabetet e huaja sillnin përçarje fetare dhe kombëtare. Dhe pikërisht atëherë lindi një rrymë e katërt që shqiptarët të ngrinin alfabete të veta. Dhe këtu fillon himnizimi i çështjes së alfabetit shqip. Në shekullin 19-të çështja e alfabetit ishte një çështje e shenjtë për shqiptarët sepse ishte një çështje për pavarësinë e tyre kulturore, gjuhësore dhe në këtë mënyrë shpirtërore. Kemi të dokumentuar alfabetin e Naum Veqilharxhit, i cili në mënyrë të vendosur të shpaloste një kulturë shqiptare me alfabetin e vet. Po kemi dhe përpjekjen e Naimit, të Hasan Tahsinit dhe të shumë atdhetarëve të tjerë.

Në gjysmën e dytë të shekullit 19-të kur lëvizja e Rilindjes pushtoi shumë sfera dhe kaloi deri në letërsi, lëvizje që pati ndikimin më të madh në masat e gjera atëherë pati përpjekje për alfabetet. U krijuan alfabete që dhe pse mbështeteshin tek alfabeti latin donin të krijonin alfabete origjinale. Dhe kemi disa përpjekje që nga Gjergj Fishta, Ndre Mjeda të cilët kishin krijuar shoqëri atdhetare e shumë të tjerë. Por jo vetëm brenda Shqipërisë por kemi përpjekje të mëdha dhe nga arbëreshët  dhe shqiptarët e Greqisë.

Deri në fund të shekullit 18-të çështja e alfabetëve ishte jo vetëm e pazgjidhur por filloi dhe një luftë e pandërprerë mes patriotëve shqiptarë. Të gjithë pretendonin alfabetin e tyre.

Kur erdhën më 1908-ën për të vendosur për një alfabet shqiptar nuk erdhën në një truall bosh, erdhën pas një përvoje të gjatë një shekullore për përcaktimin e alfabetit të shqipes duke u mbështetur edhe në kontribute të rëndësishme të studiuesve të huaj. Pra kemi një lëvizje patiotike dhe disa përpjekje të madhërishme shqiptare dhe një kohësisht një lëvizje filologjike europiane që të dyja konfiguruan në ngjarjen e madhe historike: në kongresin e Manastirit.

Në Manastir që ishte qendra më e madhe e vilajeteve shqiptare, ku kishte dhe shumë konsuj të huaj u mblodhën përfaqësuesit e klubeve patriotike më të mëdha shqiptare dhe çështjet që u rrahën ishin të shumta.

Por çështja e të gjithë patriotëve ishte që gjuha shqipe nuk do të shkruhej as me alfabetin grek dhe as me atë arab por me alfabetin latin, sepse kjo do të thoshte mosnënshtrim si ndaj otomanëve si dhe ndaj grekëve. Kongresi vendosi me votë unanime që të shkruhej gjuha shqipe me alfabetin latin dhe të kishte 36 shkronja që ka dhe sot

No comments:

Post a Comment