Britaniku që tallet me pretendimet serbe dhe greke për Skënderbeun
July 18, 2017
Një nga biografitë për Skënderbeun që janë më pak të njohura për publikun e gjerë shqiptarë është edhe libri ‘Skënderbeu: nga një peng osman te një hero shqiptar’.
I shkruar në vitet ’50, kjo monografi për jetën e heroit mesjetar shqiptar nuk ka qenë në duart e lexuesit shqiptar deri në ribotimin që u bë në vitin 2005, shkruan Konica.al.
Studiuesi dhe gazetari britanik, Harry Hodgkinson (1913-1994) ka qenë një nga dashnorët e përjetshëm të Shqipërisë.
Vizita e tij e parë në Shqipërinë e vitit 1937 ishte fillimi i një angazhimi të gjallë për shqiptarët. Fryt i pasionit të tij janë dhjetëra shkrime të cilat e sensibilizuan opinionin britanik për Shqipërinë dhe shqiptarët.
I dëshpëruar keq nga vendosja e regjimit komunist, ish-oficeri i inteligjencës britanike do t’i përvishte mëngët edhe për një biografi për heroin shqiptar që u gjend në prominencë në momentet dramatike të përplasjes mes Evropës dhe Perandorisë Osmane.
Meqë prejardhja e Skënderbeut dhe familjes së tij ngacmon sedrën nacionaliste kudo në Ballkan, Hodgkinson nuk kishte aspak mirëkuptim për prirje të tilla.
Duke përimtuar me syrin kritik pretendimet serbe dhe greke për heroin shqiptar, të cilat bazoheshin në emrin ose mbiemrin e heroit shqiptar, ai me një gjuhë qesëndisëse thotë që këto janë sikur përpjekjet që ‘prifti i Çesterit të shpallet roman katolik, dhe stërgjyshërit e tij si italianë, për shkak se ‘çester’ në një emër është provë e përkatësisë romane (sic!).
Po çfarë thotë studiuesi britanik për të ëmën e Skënderbeut?
Duke marrë si shkas shkrimin ngacmues të Mustafa Nanos për gjoja prejardhjen serbe të Vojsavës, Portali Konica.al ka sjellur burime të kohës që përgënjeshtrojnë një gjë tillë, studime moderne prej Nolit deri te Boban Petrovski si dhe pjesë nga tradita gojore arbëreshe.
Kësaj radhe ne sjellim ekskluzivisht një shkëputje nga biografia e Skënderbeut:
“Ajo duket se i përkiste Muzakajve: ata ishin familja më e fortë në jug, duke zotëruar Beratin dhe viset pjellore të bregdetit që kishin qenë hambari i Shqipërisë që nga motet klasike.
Ajo solli në jetë nëntë fëmijë. Katër ishin djem – Stanisha, Reposhi, Konstandini dhe Gjergji. Përderisa ata pritej të udhëheqnin burrat në beteja për nderin e familjes ose paga të huaja, pesë vajzat mund të përparonin interesat e familjes”, shkruan Hogdkinson
No comments:
Post a Comment