Tuesday, July 25, 2017

Dëshmori Xhemsedin Suma

Dëshmori Xhemsedin Suma
Xhemsedin Ibrahim Suma u lind më, 27. 6. 1966, në fshatin Dimcë. Mësimet e para i kreu në shkollën fillore “Tefik Qanga” në Han të Elezit, ndërsa shkollën e mesme, drejtimin teknik për agjustator, e kreu në Kaçanik. Ishte i martuar dhe baba i një vajze. Robëria serbe në Kosovë Xhemsedinin e shqetësonte shumë. Kjo bëri që ai t’iu përkushtohej idealeve kombëtare për çlirimin e Kosovës. Më 18 qershor të vitit 1998, pas bastisjes që bëri policia serbe në shtëpinë e tij, keqtrajtoi Xhemsedinin, vëllanë Hyseinin dhe babanë e tij, të cilët i arrestuan, ndërsa Xhemsedinin e liruan me kusht që ta gjejë vëllanë tjetër, Rufkiun i cili kishte formuar njësitin e parë të UÇK-së dhe ishte vendosur në Puset e Nikës.
Xhemsedini largohet nga shtëpia dhe nuk bie më në duart e policisë serbe, për shkak të ndjekjes nga forcat pushtuese. Derisa njësiti i UÇK-së,ishte i vendosur në Puset e Nikës, çlirimtarët po përgatiteshin për luftë më të gjerë dhe të vendosur. Një ndihmë të madhe, nga qershori i vitit 1998, kësaj njësie të UÇK-së u kishte dhënë edhe Xhemsedin Suma, duke i mbajtur kontaktet e rregullta me këta ushtarë. Në korrik të vitit 1998 edhe drejtpërdrejt vendoset në pikën e luftës, në Puset e Nikës. Detyrë kryesore ka pasur furnizimin me armë të UÇK-së, ndërsa stërvitjet ushtarake i ka kryer në Puset e Nikës. Ka qenë ushtar i Kompanisë së parë, të Batalionit të Tretë Brigadës 162 ” Agim Bajrami”. Në qershor të vitit 1999, Bataloni i Tretë i kësaj brigade u rrit dhe u riorganizua në Brigadën 164 “Gafurr Loku”. Ka kryer detyrën e udhëheqësit të grupit, furnizuesit dhe komandantit të togut në atë njësi. Bashkëluftëtarët e tij më të ngushtë kanë qenë : Nuri Bushi, Rufki Suma, Emrush Suma, Bekim Suma, Remzi Bushi, Nesim Curri, Remzi Dema, Izahir Troni, Rexhep Shkreta, Sali Ballazhi, Kadri Brava, Ekrem Brava, Ramadan Brava etj.
Në Puset e Nikës ka marrë pjesë në luftën e 26 shkurtit 1999 dhe në ofensivën më të madhe të armikut, më 2 mars 1999. Zhvillimet në terren kushtëzuan që luftëtarët e njësiteve të UÇK-së në Puset e Nikës të jenë më të mobilizuar dhe të gatshëm në çdo moment të ballafaqohen me sulmet e okupatorit serb, sepse forcat serbe provokonin popullatën dhe njësitet e UÇK-së. Më 26 shkurt të vitit 1999, qysh në orët e hershme të mëngjesit, njësi policore dhe ushtarë serbë bënë përpjekje që nga pozicioni i repetitorit (antena e TVP) t’i rrethojnë njësitet e UÇK-së. Mirëpo, ushtarët tanë kishin llogaritur në këto aksione të armikut dhe disa orë më vonë u ndeshën ballë për ballë me këto forca okupatore. Luftimet e para u zhvilluan në afërsi deri më 30 metra. Luftimet ishin të ashpra.
Duke ditur se këto njësi do të kenë nevojë për ndihmë, për njësitet e tjera të brigadës 162 “Agim Bajrami”, komanda e Brigadës 162, mori vendim që të dërgohet një kompani me përforcime. Këtë kompani e udhëhoqi komandanti i kompanisë Muzafer Qaka. Për t’i koordinuar punët më mirë gjatë luftimeve komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami” vendosi ta dërgojë zëvendës-komandantin e Brigadës, Hajrush Kurtaj, në frontin e luftës, në Puset e Nikës.
Nga momenti i shpërthimeve në mes luftëtarëve të lirisë dhe ushtrisë serbe njësitet e UÇK-së u vendosën nëpër të gjitha pikat e luftës. Gjithnjë e më shumë njësiteve të çlirimtarëve, në Puset e Nikës, iu vinin në ndihmë vullnetarë nga treva e Hanit të Elezit dhe nga Kaçaniku. Për këto luftime të zhvilluara u bë jehonë e madhe në mjetet e informimit publik shqiptar dhe botëror. Pas mossuksesit të ushtrisë serbe, në Puset e Nikës, e cila mendonte se kishte të bënte me një grup të vogël dhe të paorganizuar të UÇK-së, duke shpresuar se lehtë do t’i fuste në rrethim për t’i shpartalluar ato, ushtria serbe filloi përgatitjet edhe më forta për një ofensivë të gjerë kundër njësiteve të UÇK-së në këto anë.
Më 2 mars të vitit 1999, nga orët e hershme të mëngjesit filloi rrethimi i pozicioneve të UÇK-së nga të gjitha drejtimet, me forca të mëdha ushtarake serbe, të ardhura nga Ferizaj në drejtim të Kaçanikut. Forcat armike fillimisht u vendosën përreth fshatrave Gajre, Puset e Nikës, Laq, Gorancë, Rezhancë etj. Këto forca ishin të pajisura me tanke, autoblinda, pizgauerë, artileri të rëndë dhe kamion të shumtë me ushtarë e teknik luftarake.
Sulmi mbi fshatin Puset e Nikës filloi në orën 5 të mëngjesit. Në fillim serbët hodhën raketa ndriçuese, pastaj granatuan me topa, tanke, mortaja kundër ajrore dhe me artileri të rëndë. Granatimi bëhej nga ana e Laçëve-Ura e Kashanit, Lagja Ramukaj, Uji i Thartë, Dheu i Bardhë, Kazerma ushtarake në Han të Elezit, nga Fabrika e Stiroporit (Kosova Plast), nga Rezhanca e Goranca, nga kodra e Glloboqices, pika këto strategjike, ku armiku e kishte vendosur armatimin e rëndë artilerik. Pas granatimeve vërshuan plumbat e snajperistëve të shumtë. Ushtarët e UÇK-së ishin të vendosur në pozicionet e tyre dhe rezistuan me të gjitha mjetet që kishin në disponim. Sulmet e armikut zgjatën deri në orët e vona të mbrëmjes. Këmbësoria serbe u përpoq të futet në fortifikatën e UÇK-së, por pa sukses.

No comments:

Post a Comment