Friday, July 14, 2017

Habit studiuesi italian, Catapano: Pellazgët janë stërgjyshërit e shqiptarëve

Habit studiuesi italian, Catapano: Pellazgët janë stërgjyshërit e shqiptarëve  

E mërkure, 12 Korrik 2017

InfoPress / Patty Haxhiaj

“Asnjë popull tjetër i botës në të cilën jetojmë, nuk është aq i panjohur për Evropën Perëndimore, për sa i përket prejardhjes, historisë dhe gjuhës se shqiptarët. E megjithatë ai është populli kryesor i botës së lashtë e të rëndësishme që çdo historian do të donte ta njihte:historia e tyre do të plotësonte zbrazëtitë e mëdha në historinë e vjetër dhe të re të Evropës”. Kështu do të shkruante Johan Turnan në vitin 1774 në librin e tij “Kërkim në histori”, botuar në Lajpzig.

Ali Eltari, anëtar i Akademisë së Shkencave të Ballkanit në librin e tij “Pellazgët, krijuesit e qytetërimit botëror” sjell një panoramë të gjerë të këtij qytetërimi të lashtë që nga shumë studiues të huaj seriozë merren si parardhësit e shqiptarëve. Edhe pse prejardhja e shqiptarëve nga pellazgët është një teori që ka dalë jashtë vëmendjes së Akademisë së Shkencave shqiptare shumë studiues të huaj dhe seriozë prej shekujsh ngrenë teorinë e prejardhjes së shqiptarëve prej pellazgëve. Fakt është që në atë kohë nuk ekzistonte shkrimi. Ai u shpik shumë më vonë dhe rrjedhat e historisë nuk i ndihmuan pellazgët të dëshmonin gjuhën dhe traditën e tyre. Por emrat e tyre mbetën në emrat e perëndive, në varre, rrugë pra rrënoja, që fundi i fundit janë dëshmi ekzistence, dëshmi arkeologjike, transmeton InfoPress.

Sipas studimeve të kryera prej autorit Ali Eltari.  dhe shfletimit të një literature të gjerë botërore kështjellat pellazgjike janë një dëshmi e rrallë e këtij qytetërimi.

Duke u bazuar në studimet serioze evropiane autori citon studiuesin francez Zhan Klod Favrial i cili në librin “Historia e Shqipërisë” në faqen 44 shkruan:”Në fjalorin e tyre të të historisë Dezobri dhe Bashele thonë:”Gjithçka dëshmon në Thesali, vendqëndrim i pellazgëve se majat në shpatet lindore të Pindit janë të rrethuara nga mure masive dhe fushat e Peneut dhe që quhen nga Homeri si muri pellazg.

Edhe studiuesit seriozë grekë mes të cilëve Marinatos në Enciklopedinë e Madhe Greke volume XVII, faqe 847 do të shkruajnë:”Kranaoi, banorët më të vjetër pellazgjikë të Athinës, kanë lënë gjurmë të mëdha të banesave të tyre në kodrat që ndodhen në perëndim dhe jugperëndim të Akropolit. Këto janë themele banesash, varre, mbeturina rrugësh e shkallësh. Kjo tregon se pellazgët e Atikës kishin qytetërim të zhvilluar. Qyteti i ndërtuar prej tyre kishte banesa të qëndrueshme, rrugë të gjera ku kalonin qerret. Qyteti ishte i rrethuar me një mur që dhe sot e kësaj dite quhet muri pellazgjik. Nga enciklopedia greke mësohet se pellazgët ishin përdoruesit më të vjetër të rrotës.

Po në enciklopedinë e madhe greke Gjerasim Kapsali në fq 44 thotë:”Sot pranohet nga të gjithë që vendet më të vjetra të banuara në Atikë ishin ato të pellazgëve, fise parahelene të cilët kishin njohuri elementare të qytetërimit. Autoktonia e pellazgëve të Herodotit sot pranohen se kanë ekzistuar në të vërtetë dhe nuk është aspak trill i fantazisë. Në enciklopedinë greke të bën përshtypje shprehja:”Jam pellazg, biri i pellazgut të vjetër që lindi nga toka”.

Dr Pippas, inspektor i Antikitetit tek “Ciklodet”, volumi IX, fq 96, Athinë 1929 shkruan:”Pellazgët, banorët më të vjetër të Greqisëu shtrinë në banesat e tyre rreth Dodonës së Epirit gjer në Thesali, Boeto, Atikë dhe një pjesë të madhe të Peloponezit, sidomos në Argolide dhe Arkadi”. Pra sipas mendimeve të studiuesve grekë shumë prej tyre bashkohen me atë të studiuesve shqiptarë.

Studiuesit grekë dhe të huaj janë të një mendjeje që banorët e parë të Mesdheut janë pellazgët.

Ai që të habit më shumë nga studiuesit e huaj është  filologu i shquar nga Roma, profesor Giuseppe Catapano, i cili mbas një pune kërkimore 40 vjeçare në veprën e tij “Thoti-Tati fliste shqip” mendonte se lidhjet e pellazgëve me botën e lashtë janë shumë të hershme. Sipas mitologjisë egjiptiane Thoti njihet si zot i hënës, padroni i arteve dhe i të vërtetës universale.

Catapana Thotin e quan stërgjysh të shqiptarëve. Dhe ky studiues serioz del në këto përfundime :

-Pellazgët ishin stërgjyshërit e shqiptarëve

-Pellazgo-ilirët jetonin në një sipërfaqe shumë të gjerë

-Pellazgjishtja dhe ilirishtja është dega më e vjetër e gjuhëve të familjes indo-evropiane, pra gjuha shqipe më e vjetra e njerëzimit

-Nga gjiri i tyre kanë dalë shumë zota, profetë, perandorë e dijetarë

-Stërgjyshërit e shqiptarëve:pellazgo-ilirët  i dhanë një ndihmesë të madhe kulturave, feve, gjuhëve, shkrimeve në tri kontinente

-Shkatërrimi i pellazgo-ilirëve u shkatërrua jo vetëm nga katastrofat natyrore por dhe lufta e brendshme mes fiseve

-Nga bërthama e pellazgëve të lashtë u krijuan gjithë popujt e tjerë.

Ka dhe shumë autorë të tjerë seriozë që dalin në të njëjtat përfundime. Çka na bën të mendojmë se prejardhja e shqiptarëve vjen nga populli më i vjetër i Evropës. Dhe këto e tregojnë toponimet, e tregojnë autorët e mëdhenj të antikitetit, rrënojat e tyre dhe pa dyshim gjuha që ka ruajtur elemente të jashtëzakonshme ngjashmërie me pellazgjishten. Nuk bëhet fjalë për ndjesi të fryra patriotike por për të vërteta shkencore që nuk mund të injorohen

No comments:

Post a Comment