Monday, July 24, 2017

Epiroti i famshëm që u bë humanisti më i madh i Mesjetës që mësoi Kopernikun, dhe diktoi programin e Kembrixhit dhe të Oxfordit

Epiroti i famshëm që u bë humanisti më i madh i Mesjetës që mësoi Kopernikun, dhe diktoi programin e Kembrixhit dhe të Oxfordit

Nga

 Arlinda Canaj

24 Korrik, 2017

Një nga filozofët më të mëdhenj të Mesjetës ishte dhe shqiptari nga Epiri, Nikolla Leonik Tomeu. Në të gjitha biografitë që shkruhen për të në gjuhë të huaja përmendet fakti se ai ishte një ndër humanistët më të shquar shqiptarë, i diplomuar për filozofi. Ai lindi në Venedik në vitin 1456, në një familje që kish emigruar nga Durrësi. Në të gjitha veprat që ka lënë, ai përmend me krenari prejardhjen e tij shqiptare.

Në vitet 1504-1531 ishte një ndër intelektualët më në zë të Vendikut dhe drejtues i shoqërisë “Shkolla e shqiptarëve”, që ishte kthyer në një qendër të kulturës shqiptare në mërgim. Në vitin 1497 Nikolla emërohet profesor dhe titullar i katedrës së filozofisë në Universitetin e Padovës, ku pati si student dhe Nikolla Kopernikun, një ndër astronomët më të mëdhenj të Mesjetës.

Si politolog dhe njohës i mirë i kulturës antike dhe të kohës, Tomeu ka lënë një sërë veprash si: “Dhjetë dialogët”, “Aristoteli, historia e jetës dhe veprave”, dhe shumë studime historike dhe filozofike.

Emri i tij i është vendosur një shkolle në Durrës.

Sipas të dhënave që jep studiuesi Ilia Karanxha ajo që ruhet sot dhe përbën një vlerë të madhe historike janë raportet e Toemos me rrethin e humanistëve anglezë që erdhën të studionin në Padova të Italisë.

Ishin të shumtë  studentët me të cilët ai  pati raporte të vërteta miqësore të një respekti reciprok por mbi të gjitha të një mirëkuptimi ideologjik  të  cilat nuk u ndërprenë as pas  largimit të  tyre në Angli.  Një korrespondencë  që hedh dritë mbi këto marrëdhënie  në vitet 1521-1531  ruhet në  Bibliotekën  Vatikane  ( Ms. Ross. 997) e cila është  publikuar vetëm pjesërisht nga Kardinali  Francis Gasquet(1846-1929).

Studiuesi anglez Jonathan Woolson do të shkruajë :

…Për më shumë se tre dekada burim frymëzimi  këtu  ishte  filozofi padovan Nikolla Leonik Tomeu . Ai inkurajoi studimin e  teksteve antike greke e latine  mes studentëve të  tij të shumtë anglezë  dhe drejtoi ata tek vlerat të cilat theksojnë edukimin  dhe rëndësinë shoqërore të studimeve  humanistike…

Mbas impenjimeve të drejtpërdrejta në Universitetin e Padovës (1497-1504) dhe më pas në Shkollën e Kancelarisë të Venedikut(1504-6)  Tomeoja u rikthye në Padova e mbeti aty gjer në fund të jetës së tij. Në këtë periudhë Tomeoja iu  dedikua  studimeve mbi Platonin dhe Aristotelin  e nuk duket që të jetë përfshirë më zyrtarisht në  strukturat e universitetit. Pra Tomeon  duhet ta shikojmë më pas  më shumë si një dijetar të pavarur e të mirënjohur,  i cili  vazhdonte të zhvillonte studimet  e veta  umanistike por edhe veprimtarinë  didaktike  në një formë private.

Kështu  një sërë studentësh anglezë që erdhën të studionin në Padova patën  rekomandime të veçanta nga Anglia, apo nga gjetkë, pikërisht  në sajë të famës që gëzonte Tomeo në ambientin evropian.  Erasmi i Roterdamit më 31 gusht 1524 nga Basilea  e këshillonte studentin Haio Herman: se:  Ka mjaft të devotshëm në Padova dhe ju do ta keni Venetikun fare afër, ju do të gjeni mjaft midis tyre që  zotërojnë mësimdhënje të shquara pa shumë pretendime, në  veçanti Leoniku-n.

Sidoqoftë mbas vitit 1520 raportet e Tomeos me intelektualët anglezë janë meritë e kapaciteteve të vetë Tomeos e të respektit që vazhdonin të ruanin akoma për të ish-studentët e tij të parë anglezë pra humanistët e shquar si p.sh. Richard Pace, Cuthbert Tunstall, Ëilliam Latimer, Thomas  Linacre e të tjerë.  Fakti që iu besua kushëriri i mbretit R. Pole  ishte jo vetëm një garanci për kopetencat e Tomeos por shërbente edhe si   nxitës për studentët e tjerë.

Shumë e njohur është miqësia që Tomeo kishte me diplomatin dhe humanistin e shquar Richard Pace, një ndër më të njohurit e Mesjetës, miqësi e cila bëri të mundur dhe publikimin e veprës “Aristotelis Stagiritae:  Parva naturalia (Aristotele Stagirate: Traktat i shkurtër mbi natyrën) të  cilën Tomeo  nga ana e vet  ia dedikonte  pikërisht Pace.

Të shumtë ishin studentët që morën mësime nga ky profesor i nderuar, me një reputacion të jashtëzakonshëm në gjithë botën. Aq sa anglezët shkonin në Itali vetëm për të dëgjuar leksionet e tij të ndritura. Fryma e tij e trajtimit të aristotelizmit ndikoi dhe në ambientet universitare të Oksfordit e Cambridge.

Tomeu vdiq në janar të vitit 1531

No comments:

Post a Comment