Monday, July 24, 2017

Fragmente nga terrori osman ndaj popullit shqiptar

Viti 1466-1467. Kronikani Qemal Pashë-Zade shkruan se “me urdhër të padishahut u vra pa mëshirë, cilido që u zu gjallë, vendi u plaçkit tmerrësisht, gratë dhe fëmijët u morën robër.”

Çdo pëllëmbë e tokës shqiptare është mbulur në gjak. Kuçedrat osmane kanë shkelur në trojet arbnore. Nuk janë kuçedra të zakonshme. Jo, janë kuçedrat e vdekjes që kërcënojnë me shfarosje një popull të tërë. Kuçedrat e zeza përhapen me shpejtësi në çdo anë. Tashmë ato kanë rrethuar edhe foletë më të larta të shqiponjave. Megjithëse kuçedrat e vdekjes kanë gllabëruar tashmë mijëra shpirtra të pafajshëm nga kjo tokë e martirizuar, ato përsëri nuk ngihen me gjakun e shqiptarëve. Të pangopura, vazhdojnë të gllabërojnë trimat në lulen e rinisë. Ngado mbizotëron vdekja, por për çudi askund nuk mbahet zi. Nënat shqiptare nuk janë veshur me të zeza. Ato nuk i vajtojnë bijtë e tyre. Ato luftojnë njësoj si burrat për të mbrojtur atdheun e tyre. Heroinat shqiptare nuk u tremben kuçedrave.

Në një reliev shkëmbor qëndron e pamposhtur kështjella e shqiponjave, Kruja. Poshtë mureve të kështjellës, kuçedrat islamike lëshojnë mallkime. Duan vdekjen e të gjithë shqiptarëve. Kërkojnë me ngulm zhdukjen e tyre. Ato udhëhiqen nga kryekuçedra Mehmet Fatihu, i cili është betuar në allah e pejgamber që nuk largohet pa i faruar të gjithë shqiptarët, këtë rracë të “poshtër” e krenare, e cila më mirë preferon vdekjen sesa të jetojë nën skllavërinë e “mëshirës” islamike. “Vetëm xhindët, siç janë banorët e këtyre vendeve…mund t’u ngjiten atyre maleve prej nga ata qafirë të mallkuar gjuajnë me shigjeta të helmuara,” shkruan analisti turk Tursun-Bej. Lufta zhvillohet e ashpër. Kalifi Mehmet Fatihu, ka dhënë udhër që të mos mbetet asgjë e gjallë, dhe toka e shkretuar shqiptare të shërbejë si shembull për të gjithë ato popuj që nuk e pranojnë “mëshirën” e Allahut dhe profetit të tij të vetëshpallur, Muhametit.” Por shqipet luftojnë e nuk mposhten. Gjaku i tyre është kthyer në një mburojë për gjithë botën e qytetëruar.

Osmano-islamikët tregohen të pamshirshëm ndaj shqiptarëve, duke vrarë e masakruar popullsinë e pambrojtur. Kronikani Qemal Pashë-Zade shkruan se “me urdhër të padishahut u vra pa mëshirë, cilido që u zu gjallë, vendi u plaçkit tmerrësisht, gratë dhe fëmijët u morën robër.” Kronisti bizantin i kalif Fatihut, Kritobuli nga Imbrosi, që e vëzhgoi së afërmi këtë luftë, thotë se “shqiptaret preferonin më mirë vdekjen se sa të binin në duart e turqve.” "Disa ilirianë” shkruan Kritobuli, “duke parë se ndiqeshin nga turqit dhe pasi nuk gjetën asnjë vend për t'u strehuar, u hodhën poshtë që nga shkëmbinjtë, në hapësirën e përrejve dhe u vranë."

Megjithë masakrat e tmerrshme ndaj shqiptarëve, edhe kësaj here kalifi Mehmet Fatihu nuk arriti ta mposhte folenë e shqipeve. Por ai është i etur për gjak, sepse akoma nuk është ngopur duke pirë gjakurn e qindra mijëra bijve të shqipes. I zemëruar për disfatën, kalifi Fatih largohet nga Kruja. Gjatë rrugës prej Elbasanit në Dibër, ai rrethon qytetin e Kidhnës, afër Drinit, ku janë strehuar rreth 20 mijë gra, pleq e fëmijë, të larguar nga krahinat fushore për t’i shpëtuar masakrave islamike. Nën thirrjet ‘vdekje shqiptarëve’ dhe ‘allahu akbar,’ osmano-islamikët sulmojnë qytetin. Pasi e pushtojnë atë, kalifi islamik Fatihu i masakron të gjithë barbarisht në emër të allahut “mëshirëmadh.” Vetëm në këtë qytet humbën 20 mijë shpirtra të pafajshëm. U masakruan nën klithmat ogurzeza ‘allahu akbar.’ Të njëjtat klithma që edhe sot e kësaj dite dëgjohen pak çaste përpara vrasjes së njerëzve të pafajshëm. Gjithmonë, kjo çjerrje në arabisht, që lindi në një natë të errët të historisë njerëzore, paraprin kryerjen e krimeve dhe masakrave të tmerrshme, shkatërrimin e kishave, vrasjen e civilëve të pambrojur, mbytjen me gurë të njerëzve të pafajshëm dhe dhunën ndaj femrës. Është gjithmonë e njëjta britmë makabre, e pandryshueshme prej gati 15 shekujsh. Është e njëjta re e zezë që përpiqet të bllokojë rrezet jetëdhënëse të diellit hyjnor, dhe përpiqet ta zhysë botën në një “civilizim” arkaik.

E njëjta britmë dëgjohej edhe atë ditë ndërsa 20 mijë shqiptarë, masakroheshin në mënyrën më çnjerëzore nga barbarët turko-islamikë. Dhe këta njerëz nuk u vranë as në luftë frontale. Jo. Ato u vranë pa asnjë shkak. U vranë nga urrejtja patologjike ndaj shqiptarëve. U vranë sepse shqiptarët i kishin rezistuar skllavërimit. U vranë sepse shqiptarët u bënë mburoja e botës së qytetëruar. U vranë sepse ilirët i rezistuan një pushtuesi të pashpirt e mizor. Këta ilirë dhe miliona të tjerë u vranë nga ata të cilët sot një grup i tjetërsuar shpirtërisht dhe psikologjikisht shqiptarësh e shqipfolësish vazhdon t’i quajë vëllezër. U vranë në emër të një perëndie pagane të cilës këta shqipfolës të tjetërsuar i falen sot si skllevër të bindur. Këta shqipfolës nuk ndiejnë turp kur e quajnë veten shqiptarë, dhe as kur prekin flamurin e Kastriotëve. Ata e falëndërojnë dhe e quajnë vëlla pushtuesin që i masakroi, vetëm sepse ndajnë me këtë pushtues të njëjtën fe që iu imponua me dhunë prej tij.

More. Peloponez. Viti 1460. Në krye të fushatës pushtuese ndodhet vetë Mehmet Fatihu. Moreja pushtohet nga osmanët, dhe popullsia shqiptare shfaroset pa pikë mëshire. Skena të tmerrshme përsëriten në çdo krahinë. Pas pushtimit të kështjellës së Kastricës, 300 mbrojtësit shqiptarë të saj theren të gjithë, ndersa komandanti i tyre sharrohet më dysh. Gratë dhe fëmijët shqiptarë dërgohen si skllevër seksi nëpër haremet islamike, për të mos u kthyer kurrë më në atdheun e tyre. I njëjti makabritet përsëritet edhe në kështjellën e Gardhiqit. Por këtu terrori është edhe më i madh. Pas pushtimit të saj, mbrojtësit dhe 6 mijë banorë të strehuar aty, përfshirë gra e fëmijë të lidhur këmbë e duar, theren në sheshin e kështjëllës, nën thirrjet ‘allahu akbar.’ Letrat e bashkëkohësve shprehin tmerret e përjetuara nga popullsia shqiptare: “Mizori të pashembullta të sulltanit, i cili as për siguri as për dhimbje nuk të fal e nuk ka mëshirë…Po bën në Shqipëri mijëra dhunime, vrasje e mizori, dhe po djeg e shkatërron një popull të tërë.”

Krujë. Viti 1478. Pas një rrethimit të gjatë, të mbetur pa ujë e ushqime, 5 mijë mbrojtësit dhe banorët e qytetit të Krujës arrijnë një marrëveshje për dorëzimin e kështjellës, pasi kalifi Fatih u betohet në allah e pejgmaber, se po ta dorëzonin kështjellën, do t’i linte të largoheshin të lirë së bashku me familjet e tyre. Ndërsa shqiptarët dalin nga kështjella, Fatihu pabesisht jep urdhër që ata të masakrohen pa mëshirë. Nën thirrjet ‘allahu akbar,’ të gjithë meshkujt masakrohen barbarisht, ndërsa femrat e fëmijët merren robër dhe ndahen si plaçkë, duke u përdhunuar e masakruar nga bishat osmano-islamike.

No comments:

Post a Comment